Prej mëse dy vitesh, Altini 12 vjeçar vuan nga një problem në të dyja gjunjët, që ia kanë pamundësuar ecjen… ai rrezikon të mbetet në karrige me rrota, nëse nuk i nënshtrohet operacioneve. Për këtë shkak në shtëpinë e tij në Zallbastar mbërriti Sidrit Bejleri.
E teksa Altini bëhet gati për t’u nisur për disa vizita mjekësore në Tiranë, Sidrit i afrohet motrës së vogël e vëllait të madh të 12 vjeçarit. Njëlloj si Altini, edhe Blenardi e Orgita i janë drejtuar me lutje Zotit, që i vëllai të mund të kurohet, të mund të ecë e të vijë në shkollë.
Sidriti: Blenard, Orgita… Ju kishit dalë në televizor, në klip. Thonit që vëllai juaj të shërohet. A i jeni lutur dhe ju Zotit, që vëllai juaj të shërohet?
Orgita: Po unë i jam lutur…Unë jam lutur, o Zot shëroje vëllain tim, të mos e shoh më atë me dhimbje.
Blenardi: O Zot shëroje vëllain tim, mos t’i dhembin më gjunjët e të jetë dhe ai si unë, motra e të gjithë shokët e tij.
Sidriti: E pra, në këtë ditë të Ramazanit… (përlotet) Zoti ua ka dëgjuar lutjet juve. Do ta marrim vëllain dhe do ta dërgojmë për t’i bërë ndërhyrjen në Tiranë. Ta shërojmë, me ndihmën e të gjithë shqiptarëve që i kanë mbledhur fondet për vëllain tuaj. Zoti ju ruajtë, e Zoti ju dashtë. Doja prej jush, t’ja thonit ju këtë lajm Altinit, se paratë janë mbledhur dhe se ndërhyrja ka për t’u bërë.
Pak momente më vonë, Altini vjen në dhomë. Lajmin se shqiptarët i kanë mbledhur fondet e nevojshme për ndërhyrjet e tij, ia thotë i vëllai.
Blenardi: Altin, lekët janë mbledhur, do të bëhesh operacion dhe do të ecësh edhe ti si të gjithë të tjerët.
Sidriti: Zoti e shqiptarët nuk të kanë lënë ty, që të shkojnë lutjet e lotët dëm. Do të bëhesh operacion e do të shërohesh…
Altini: Shumë faleminderit…
Sidriti: Le të ikim tani, na bërë të gjithëve për të qarë…