Adhurim Uka jeton në Prishtinë me nënën, dy motrat e vëllain e vogël 11 vjeçar. Ai është 21 vjeç, por jeta e ka vënë përballë sprovave të vështira. Prej vitesh i është dashur të marrë rolin e kryefamiljarit e të punojë fort për t’i dalë në krah nënës që i ka rritur me shumë mundime e sakrifica.
Shqipja, ka qenë nënë dhe baba për 4 fëmijët e saj, pasi bashkëshorti e ka braktisur. Mes shumë përpjekjesh ka punuar e ka sakrifikuar për t’i rritur, për t’i shkolluar, për t’i dhënë një jete më të mirë.
“I kam rritur me sakrifica për t’ju siguruar një jetë të mirë”, -thotë ajo me zërin që i dridhet.
Si te mos mjaftonin vuajtjet e përditshme, pak ditë më parë, një sprovë e rëndë goditi këtë familje. Një zjarr tinzar përpiu shtëpinë duke e shkatërruar plotesisht. 21 vjeçari u zgjua i pari duke luftuar me flakët për të shpëtuar familjen.
“Doja vetëm ti nxirrja gjallë familjarët”, -thotë Adhurimi.
Fatmirësisht familja shpëtoi nga zjarri pavarëisisht traumave të mëdha psikologjike që i përndjekin edhe sot.
“Faleminderit Zotit me shpëtuan fëmijët, po të ishte djegur ndonjë prej tyre, nuk na duhet me jeta”, – thotë nëna e 4 fëmijëve.
Por tashmë 5 frymë kanë ngelur në mes të katër rrugëve, pa një kulm ku të fusin kokën.
“Kjo për ne është vdekje, na janë shuar gjithë shpresat e fëmijëve u janë prerë ëndrrat”, -thotë Shqipja.
Ata kanë një lutje për të gjithë shqiptarët: Ti ndihmojnë për të rindërtuar shtëpinë.