Studentet ekselente të konviktit “Firdeus”, kanë kaluar një ditë të veçantë pranë shtëpisë së të moshuarve “Si në shtëpi”, në Shkodër, e cila është hapur nga Fondacioni Firdeus që prej një viti.
Ky aktivitet ka ndërthurur bukur ndjesitë dhe emocionet e atyre që u bënë pjesë e dy prej projekteve sociale të Fondacionit, të moshuarit dhe studentet.
Të moshuarit, me emocione dhe mallëngjim, pritën vajzat si mbesat e tyre dhe shprehën nevojën e vizitave të tilla për të mbushur atë boshllëk që prej vitesh e vuajnë nga braktisja.
Nga ana tjetër vajzat, ndjejnë dashurinë prej gjyshi e gjysheje teksa i shihnin sytë e tyre plot gëzim e mallëngjim.
Biseda mes tyre vijoji natyrshëm mes historive të shkuara, herë të lumtura e herë të dhimbshme, por gjithmonë me notat e ëmbla të humorit e shpirtit shkodran. Nuk munguan as këshillat dhe uratat që të moshuarit ia jepnin gjithë zemër vajzave, njësoj siç do t’ia jepnin mbesave të tyre.
Tepër e prekur, nënë Maria thotë se nuk i ka parë prej kohësh mbesat e saj.
“janë shumë larg… (qan)…. e unë u çmalla me ju sot… Qofshi ju me jetë!” mezi përfundon fjalinë ajo mes lotësh.
Migena, studentja ekselente, shprehet se ndjeu shumë ngrohtësi pranë të moshuarve dhe se u prek shumë nga historitë e jetuara që dëgjoi. “Do të më marri malli veçanërisht për nënë Marinë”, thotë Migena, e cila gjatë gjithë vizitës mbante të shtrënguar dorën e saj.
Mes falenderimesh të përzemërta, stafi i azilit “Si në shtëpi”, tregon se sa ndikim të madh pozitiv ka patur në jetën e këtyre të moshuarve strehimi në këtë qendër. Ata janë si një familje, kalojnë kohë me njëri-tjetrin dhe u plotësohet çdo nevojë që kanë, që nga ushqimi i zgjedhur e deri tek kontrollet ditore mjekësore nga stafi i specializuar.
Në fund, studentet përshëndeten më të gjithë dhe marrin edhe një herë falenderime, lutje e urime të përzemërta, duke i lënë të moshuarit me mendimin e mirë se ende dikush mendon për to.
Ndiq videon e plotë