Pak muaj kanë kaluar kur në “Shqiptarët për Shqiptarët” erdhi thirrja e dëshpëruar për ndihmë e një nëne që të shumta i kishte patur vuajtjet.
Pas 5 vitesh orvatje për t’u bërë me fëmijë, Kristiana mësoi lajmin se do të bëhej me vajzë. Në jetë erdhi Melisa… por vogëlushja qëkur erdhi në jetë, për tre muajt e ardhshëm nuk doli dot nga inkubatori. Vogëlushja u përkeqësua dhe mjekët u detyruan të intubojnë Melisën veçse 3 muajshe.
Në atë kohë Kristiana qante mbi inkubatorin e të bijës dhe lutej për ndihmë, pasi nuk kishte kurrfarë mundësie për ta dërguar për kurim jashtë shtetit.
Shqiptarët bamirës ia bënë të mundur ëndrrën për ta dërguar për kurim. Melisa u largua brenda një kohe rekord falë reagimit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve.
Pak muaj kanë kaluar nga ato momente mjaft emocionale… sot ndërkohë, në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit, mësojmë lajmin e bukur se Melisa tanimë është kthyer në atdhe, shëndoshë e mirë.