Në 7 muajt e parë të jetës, kjo vogëlushe nuk mundi të qeshë dot, përkundrazi. Erbora i kaloi ditët e saj në spital, ndërsa nëna e babai shihnin të dëshpëruar sesi e bija po shuhej dalëngadalë.
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, shëndeti i Erborës veçse përkeqësohej, trupi i saj zverdhej edhe më tej, e të qarat veçse shtoheshin.
Mëlçia e vogëlushes nuk po punonte më. E vetmja zgjidhje, ishte dërgimi i saj drejt Italisë fqinje, për kurim e mandej transplant të mëlçisë.
E falë Zotit që ka shqiptarë bamirës, të cilët në një kohë rekord u bënë bashkë për të mundësuar të gjithë shumën financiare, që familja kurrsesi s’mund ta përballonte.
Kanë kaluar veç pak muaj nga momenti kur çifti Krasniqi u nis drejt Italisë, me shpresën në Zot se gjithçka do të shkonte mirë.
E tanimë, na erdhi lajmi. Një lajm që na çon zemrat peshë. Atë na e jep nëna e Erborës së vogël. Me sytë që i shndërrisin, nëna tregon se e bija tanimë ka kryer ndërhyrjen… e teksa Arikumeja flet, Erbora vogël i prek flokët të ëmës.
“Ju falenderoj të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, anembanë botës. Faleminderit që ma dhatë mundësinë të vij në Itali. Faleminderit shumë prej jush, Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçit, Allahu ua shpërbleftë me të mira
E çikës sime, pas transplantit të mëlçisë, sot iu kthye buzëqeshja. Operimi ishte shumë i rëndë, 16 orë operim bëri vajza ime. Faleminderit shqiptarëve, kudo që janë.”-thotë nëna e Erborës, ndërsa vogëlushja na dhuron një buzëqeshje që na çeli sytë.