Pak javë kanë kaluar, kur Altini e Ekleva qanin për 40 ditë e netë pranë inkubatorit ku qëndroi vogëlushi i tyre, Amari. Foshnja 2 muajshe kishte kryer dy ndërhyrje, por gjendja e tij vetëm përkeqësohej.
E në kohën kur vogëlushi ndodhej mes jetës e vdekjes, thirrjen për ndihmë e prindërve të Amarit e dëgjuan shqiptarët bamirës. Brenda një kohe rekord, vogëlushi u nis për kurim të specializuar në Italinë fqinje.
Pak javë kanë kaluar nga ato momente përlotëse, kur babai i Amarit lante me lot inkubatorin ku ndodhej i biri, pak para se të nisej drejt aeroportit.
Tanimë Amari është rikthyer në atdhe, falë Zotit shëndoshë e mirë. Kurimi dhe ndërhyrja e kryer kanë rezultuar të suksesshme, ndërsa Amari vogël gëzon shëndet të plotë.
“Shqiptarët për Shqiptarët” i mirëpriti nënën, babain e Amarin e vogël në aeroportin e Rinasit. Sot, falë bamirësisë së mijëra shqiptarëve që kontribuan për Amarin, nëna e babai kanë hedhur pas krahëve ditët e vuajtjes, për të përqafuar gëzimin e shëndetit të djalit të tyre.
“Sot po kthehemi nga Italia me djalin… operacioni shkoi shumë mirë, ndihem shumë e lumtur. Nuk e mendoja se djali do të më shpëtonte se ishte shumë keq. Shumë faleminderit dhe Zoti ju shpërbleftë”-tha nëna e Amarit.
“Djali i shkoi shumë mirë operacioni, tani gëzon shëndet të plotë. Kjo falë shqiptarëve dhe Fondacionit Firdeus. Nuk do t’ju harrojmë kurrë.”-tregoi babai i vogëlushit.