Skip to content Skip to footer

Klithma e 10 vjeçares, djegur në të gjithë trupin: Ju lutem më ndihmoni, kam shumë dhimbje

Kishte veshur fustanin  e saj të preferuar edhe pse ai ishte i grisur, i vjetëruar dhe me fije të dala… por ai fustan ishte ajo çka kishte Ermela.

Fijet e dala të fustanit i kish parë disa herë, e pa i treguar njeriu, vendosi t’i djegë, pa e ditur se flakët do t’i përhapeshin në trup. E flakët u përhapën, prekën trupin e vogëlushes, e cila nisi të klithë për ndihmë. Ishte nëna e cila vrapoi drejt saj dhe arriti t’i shpëtojë jetën. Por trupi i Ermelës së vogël u dogj rëndë.

10 vjeçarja tanimë ndodhet në spital, pa fustanin e saj të preferuar, e me dhimbje të padurueshme. Për një moment ajo klith në agoni, derdh lot sepse s’mund ta largojë dot vuajtjen që ndodhet burgosur, poshtë fashove të shumta që i kanë mbuluar të gjithë trupin.

“Unë quhem Ermela, jam 10 vjeç…jam djegur. Kam shumë dhimbje, plagët më dhembin shumë. Temperatura nuk po më zbret”-thotë vogëlushja, ndërsa lotët i rrjedhin mbi faqe.

Ermela tanimë s’mundet të luajë. Edhe këto lotë, i thahen në faqe. Por koha nuk pret më për 10 vjeçaren. Plagët kanë filluar të infektohen dhe asaj i rrezikohet seriozisht jeta. Ermal duhet të niset urgjentisht për kurim jashtë shtetit, por familja e vogëlushes nuk ka kurrsesi asnjë mundësi për të përballuar kostot e mëdha të kurimit.

Ermela është ende e vogël dhe nuk e kupton gjendjen e rëndë të situatës ku ndodhet. Ajo thotë se e ka marrë malli për shkollën dhe se kërkon të shërohet.

“Më ka marrë malli për shkollën dhe për vëllain tim. Ju lutem shqiptarëve të më ndihmojnë të shërohem”-thotë vajza për “Shqiptarët për Shqiptarët”.