Skip to content Skip to footer

Jetonte me 4 fëmijë në një dhomë, momentet kur nëna sheh ëndrrën të bërë realitet

Aida është nënë e 4 fëmijëve. Së fundmi, ajo ka sjellë në jetë Amarin. Është e bekuar me tre vajza e së fundmi edhe me një djalë të vogël.

Por jeta e kësaj nëne, nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi. Familja jeton në një dhomë të vogël. Vendi e as mobiljet, nuk janë të tyret.

“Unë jam Aida. Jam nënë e 4 fëmijëve. Djali ka ardhur tani në jetë. Kemi jetuar në kushte mjaft të vështira. Nuk kemi patur një shtëpi tonën. Kjo dhomë ku po jetojmë nuk është e jona. Asnjë mobilje po ashtu, nuk është e jona.

Të afërmit tanë, ne kanë mundësuar një banesë, por banesa në fjalë është…” tregon Aida.

Në këtë muaj të Ramazanit Fatma Naçi e vajzat e Fondacionit Firdeus vizitojnë Aidën. Ato priten në derë, nga buzëqeshja e vajzës së vogël të Aidës…

Fatma: Aida, e di pse të kemi zgjedhur? Shpesh herë, ne diskutojmë, sesi një femër mund të jetë e fortë, t’ja dalë në jetë. Unë e di që ti deri në ditën e fundit që ke qenë shtatzënë ke punuar. Punon në shtëpi, punon jashtë shtëpisë, përkujdesesh për vajzat… si ia arrin të gjitha këtyre

Aida: Me ndihmën e Zotit. Sa kam shëndetin, do të punoj, t’ja arrij me forcat tona.

Fatma: Aida, a ke patur periudha të vështira në jetë?

Aida: Patjetër, por me besimin në Zot ia kam dalë. Unë kam dalë edhe në rrugë për të punuar dhe forca ka qenë kjo. Zoti më ka dhënë shëndet dhe forcë për t’ja dalë.

Fatma: Një nga gjërat më të bukura, një nënë që punon dhe kujdeset për fëmijët. Aida na ke treguar për një banesë që nuk është e mobiluar. Mund të na e tregosh, ta shohim nga afër?

Por Aida ende nuk e di, se banesa tanimë është shndërruar plotësisht. Falë bamirësve e Fondacionit ‘Firdeus’ shtëpia është mobiluar tërësisht, deri në detajet më të vogla.

Aida: O Zot, dhurata më e bukur e gjithë jetës… Allahu ua shpërbleftë me xhenet.

Fatma: Si po të duket…?

Aida: Nuk e di, jam në shok tani, nuk di çfarë të them.

Fatma: E meriton. Ke sakrifikuar shumë. Shpresoj jetoni të lumtur. Edhe Amari vogël, ka ardhur me një risk shumë të madh

Ndiqini këtu momentet tepër emocionuese, kur vajza e Aidës mrekullohet nga shtëpia e saj, tanimë e mbushur plotësisht nga vepra e mirë e bamirësve shqiptarë.