Altini tashmë ka hyrë në operacionin e jetës. Ndërhyrja e parë të cilës i nënshtrohet do të tentojë t’i risjellë në vendin e duhur gjurin në këmbën e majtë. Një ndërhyrje e komplikuar dhe e madhe për këtë vogëlush që prej 2 vitesh nuk ecën dot.
E teksa ndërhyrja vijon, jashtë sallës së operimit ndodhet familja e tij. Nëna e Altinit mbushet në lot dhe i drejtohet me lutjet Zotit.
Pas disa orësh ndërhyrje, doktori del nga salla dhe i jep lajmin e gëzueshëm familjes. Operacioni ka qenë i suksesshëm.
“Operimi përfundoi. Gjithçka shkoi mirë. Është një ndërhyrje e madhe. Do të duhet kohë por me rehabilitimin e duhur do të ecë mirë dhe me shumë më pak dhimbje. Çdo gjë shkoi mirë.”-tha mjeku.
Nëna, babai motra e vëllai i Altinit derdhin lot gëzimi. Pas pak momentesh, në dhomë vjen Altini. Tanimë, ëndrra e tij për të mundur të ecë e të shkojë në shkollë me këmbët e tij… është një realitet jo i largët.