Një djalë 16 vjeçar, i cili ndodhet mes jetës e vdekjes. Një familje që nuk i ka mundësitë të shpëtojë djalin e që lutet, përgjërohet për ndihmë.
Kjo është historia e Marios, veçse 16 vjeçar. Dy muaj më parë Mario kishte mbërritur në shtëpi dhe paratë që kishte fituar nga puna ia kishte dorëzuar të ëmës. Nëna e Marios i tha të birit që paratë t’i mbante për vete, të blinte rroba të reja për shkollën. Dhe Mario, ashtu bëri. U nis për të blerë rrobat… rrugës ndodhi aksidenti tragjik. I riu u përplas nga një makinë dhe u lëndua rëndë.
Nëna e priste në shtëpi, për të parë rrobat e reja. Por në vend të buzëqeshjes së të birit, mori një telefonatë. Një telefonatë që ktheu përmbys gjithçka e që prej asaj kohe e ka dërguar në një botë ku gjen vetëm lot e dhimbje. Nëna mori lajmin se i biri kishte pësuar aksident dhe se ndodhej në spital, në gjendje kritike.
Kanë kaluar dy muaj në vuajtje e dhimbje e tanimë gjendja është përkeqësuar së tepërmi. Mario ka nevojë urgjente për t’u larguar jashtë shtetit për kurim të specializuar, pasi në të kundërt, shanset janë tejet të vogla. Familja e Marios i është drejtuar për ndihmë shqiptarëve bamirës, pasi janë të pamundur të përballen me kostot e larta të kurimit të 16 vjeçarit.