Ndodhet në spital me të birin prej kohësh tashmë. Delisona nuk e mban më dot mend sesa ditë, orë e minuta ka shpenzuar duke derdhur lot mbi kokën e të birit. Dioni, fëmija i saj i parë, vogëlushi që i dha bekimin për të qenë nënë… është i prekur nga tumori në veshka.
Dioni kreu një ndërhyrje pak kohë më parë në njërën veshkë, por sëmundja është ende në trupin e tij dhe rrezikon të përhapet. Ky vogëlush është veçse 10 muajsh dhe nuk di ende të flasë, t’i thotë nënës e babait sesa dhimbje po ndjen…e në mesin e lotëve, vuajtjeve, nëna e vogëlushit e ka tepër të vështirë të rrëfejë. Për “Shqiptarët për Shqiptarët”, ajo mbledh forcat, e me lotët që i mbulojnë sytë, përgjërohet për ndihmën e bamirësve.
“Dioni është fëmija jonë i parë… është veçse 10 muajsh. Vuan nga një tumor i rrallë në veshka. Më doli zemra nga vendi, sikur çdo gjë mbaroi. Thamë aty ishte fundi… prisja nga momenti në moment që të vinin të më thonin, djali yt nuk është më.
3 muaj çdo ditë me vështirësi, duke luftuar për jetën e djalit… i shkoj pranë shtratit, shoh a merr frymë, a është gjallë. Këtu çdo ditë djali rrezikon jetën, shpresa jonë është vetëm për të ikur jashtë për të shpëtuar djalin…Ne e kemi të pamundur (qan) të shpëtojmë djalin tonë.
Dioni ka nevojë të shërohet. Të gjithë u kërkoj ndihmë, kushdo të mundet. Ju lutem, vini dorën në zemër, Dioni ka nevojë të jetojë, të rritet si çdo fëmijë… ju lutemi, ju lutemi na ndihmoni”