“Nuk e kisha menduar se do të studioja me të gjitha kushtet… nesër do jemi ne ata që japin për shoqërinë shqiptare”
April 3, 2023
Prej disa kohësh tashmë, Fondacioni ‘Firdeus’ mori përsipër dhe arriti të jetësojë një projekt, që në thelb të tij ka dijen dhe formimin e një modeli të vlefshëm për shoqërinë. Nga kjo dëshirë e inspiruar prej modelit të bamirësisë së shqiptarëve, lindi konvikti i vajzave me nota ekselente.
Në këtë konvikt jetojnë, qëndrojnë dhe studiojnë 60 studente ekselente, të cilat për një arsye apo një tjetër, nuk i kanë patur të gjitha mundësitë për t’u fokusuar vetëm tek studimi. Por këtyre studenteve, këtë mundësia ua ka dhuruar bamirësia.
Ja si shprehjen disa nga vajzat të cilat jetojnë në konviktin “Firdeus’ tashmë prej disa muajsh.
“Unë jam Anxhela Hoxha, studioj për financë, viti i parë bachelor. Ndërkohë unë jam Ermela Hoxha, studioj për drejtësi. Që prej fillimit të vitit akademik jemi akomoduar këtu, në konviktin e fondacionit “Firdeus”. Ne e plotësonim kriterin e konviktit ‘Firdeus’, duke qenë të dyja ekselente në mësime. Familja jonë e kishte shumë të vështirë të shkollonte dy nxënës në të njëjtën kohë. Konvikti na ofron siguri, duke filluar që nga hyrja e cila është me kartë. Është e pajisur me sisteme alarmi për ta bërë sa më të sigurt qëndrimin tonë.”-treguan dy vajzat.
“Quhem Katerina Palluçi, vij nga qyteti i Peshkopisë. Jam në vitin e parë mastër për psikologji klinike. Jam një ndër studentet ekselente, i cili ishte një ndër kushtet për t’u pranuar në Konvikt. Të gjitha kushtet këtu i plotësojnë të gjitha kërkesat, ka salla studimi, lavanderi, mensë, holle studimi, dhoma komode, kompjutera. Dhoma e gjumit kanë hapësirë të bollshme e të plotë.”-shpjegoi studentja.
“Jam Jasmina Çela, studente në vitin e parë në arkitekturë dhe dizajn urban. Në konviktin ‘Firdeus’ akomodimi dhe çdo shërbim tjetër është i mbuluar nga fondacioni dhe ne për këtë jemi shumë mirënjohëse.”-tha studentja e arkitekturës.“Jam Migena Çangu, vij nga qyteti i Krujës. Jam studente e arkitekturës, ekselente. Ëndrra që kam patur ishte studimi dhe konvikti Firdeus ma dha këtë mundësi. Asnjëherë nuk e kisha menduar se jeta ime studentore do të ishte në një vend me të gjitha kushtet. Po i përkushtohem studimeve dhe besoj do jem e suksesshme, sepse këtu konvikti ka investim të mirë. Mer kohë, por unë do të kontribuoj në shoqërinë shqiptare.”-tha studentja.“Kam qenë ndër 100 maturantët më të mirë të republikës, me mesatare 10.0. Ky vit shënon kapitullin e fundit të formimit tim profesional si mjeke. Synim kam që ta shpërblej këtë të mirë të pakushtëzuar duke u bërë një vlerë e shtuar e kësaj shoqëria, si nga ana profesionale por edhe nga ana shoqërore.”-tha studentja e mjekësisë.“Mesatarja ime ka qenë 9.7 dhe ky ka qenë kriter për pranimin në konviktin ‘Firdeus’. Ka qenë e vështirë pjesa e jetësës, e shtëpisë me qira. Fakti që neve po na ofrohen këto të mira e kushte të shumta vetëm sepse jemi ekselente, na jep motivim dhe shtysë për të arritur më shumë rezultate, për të qenë të denjë e profesionistë që nesër t’u kthejmë mbrapsht shqiptarëve atë sakrificë që bënë për ne. Këtu është si një familje e madhe për ne.”-rrëfeu një tjetër studente.“Të vish dhe të jetosh në një qytet të madh si Tirana, i dimë të gjithë sfidat që janë për t’u përballuar. Ne jemi falenderues, pikë së pari personit që hodhi idenë (Fatma Naçi) dhe çdo individi tjetër që bëri të mundur që kjo ide, të realizohet.”-tregoi një tjetër vajzë.