Blerim Ademi, vetëm pak ditë më parë, dergjej në shtrat me shpresa të shuara për jetën. Babai i tre fëmijëve, vuante prej kohësh nga kanceri, i cili i kishte avancuar deri në atë fazë, sa mjekët në Kosovë nuk i merrnin më përsipër trajtimin.
E vetmja zgjidhje për të, mbetej dërgimi në një spital më të specializuar jashtë dhe transporti me avion sanitar. Por, për të dhe familjen e tij të rënduar ekonomikisht, kjo zgjidhje ishte e pamundur për t’u arritur.
Thirrja e tij për ndihmë, në emër të fëmijëve të tij, për të mos i lënë ata jetimë, sensibilizoi të gjithë shqiptarët duke i mundësuar Blerimit shumën për vazhdimin e trajtimit të specializuar.
Sot, vetëm pak ditë më vonë, ai na gëzon me lajmin e daljes me sukses nga operacioni.
Lutemi që Blerimi të shërohet plotësisht dhe të kthehet pranë familjes dhe fëmijëve të tij përsëri në gjendje të mirë shëndetësore.
Zoti i shpërbleftë bamirësit!