Skip to content Skip to footer

Reflektim mbi tërmetin….

(Nga Turqia, Elvis Naçi rrëfen përjetimin e tij mbi gjendjen e rënduar të shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm, nga i cili mund të nxirren mësime të mëdha)

Sa pak falenderojmë!

Për sa kohë ke një shtëpi, fëmijët, shëndetin, ti ke shumë… kjo nuk është thirrje për të ulur përpjekjet për të jetuar më mirë. Ardhja në Turqi më ka futur në një meditim që kurrë nuk e kam përjetuar. Kudo flitet për tërmetin, mbi 40 mijë të vdekur, numër që pritet të shkojë shumë më shumë. Numri i të humburve është mbi 100 mijë dhe nuk po flas për dëmet materiale.

Toka e çarë, fëmijë që varrosen por edhe fëmijë që shpëtohen mrekullisht. Prindër, me sytë me lot nga humbja e fëmijëve, fëmijë që shpëtohen të buzëqeshur, por që prindërit i kanë nën rrënoja… Në çast gjithcka të kthehet në asgjë. Humbet gjithcka, por të duhesh të behet i fortë, të vazhdosh jetën….

Sot, me qindra mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë, e mes dhimbjes se nën rrënoja kanë familjarët, sot janë të vendosur nëpër kampe ku presin nga e gjithë bota t’i ndihmojë.

Si është jeta, dikur mund të kesh ndihmuar dikë, por sot pret të ndihmohesh. Sprova dhe shpërblime, ky është ligji i Zotit, kalon vështirësitë e kësaj bote për të kaluar në të përjetshmen. Jeta më ka vendosur përballë rasteve të rënda, por kurrë si këto të Turqisë dhe Sirisë.

Ajo që më bën përshtypje është forca dhe besimi në Zot, burra që shtrëngojnë dhëmbët dhe mes lotëve që rrëshqasin mbi faqe thonë “O Zot, tek Ti është kthimi!”

Kam dëgjuar histori të familjarëve që kanë humbur të afërmit. Sytë me lot kur kujtojnë çastet si u ndanë nga kjo botë me evladët e tyre, por mes asaj dhimbje u vjen një buzëqeshje kur përmendin Zotin dhe luten t’i bashkojë me ta në Xhennet. Nuk kam fjalë, sytë mbushen me lot, por edhe me forcë që të jem këtu sa të mundem të ndihmoj. Unë mund të jem një pikë në oqean në këtë mision, por për shpirtin tim është shumë. E gjithë nata kaloi duke ngarkuar ushqime për të mbijetuarit, sot do të nisen 5 maune, mbi 100 ton.

Ne nuk kemi forcë ta zgjidhim këtë tragjedi por të paktën themi: “O Zot, ne zgjodhëm të ishim pranë tyre dhe Ty të lutemi, mos na i humb sakrificat e këtij misioni…”